Kujdesi për jetimët

Rëndësia e Familjes

Shkrimi(Bibla), përvoja e jetës dhe kërkimet, të gjitha bien dakord se fëmijët rriten më së miri në familje.

Perëndia e krijoi familjen, siç tregohet në kapitujt e parë të Zanafillës, dhe ashtu si gjëra të tjera në krijim, familja përfaqëson qëllimet e mira të Perëndisë për botën. Te Psalmi 68:6, lexojmë: “Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje”, që vërteton se qëllimi i Perëndisë është që familja të jetë burimi i përkatësisë.
Studimet e shtrira përgjatë shumë viteve në një gamë të gjerë kulturash dhe kontekstesh kanë treguar në mënyrë të qëndrueshme impaktin pozitiv që kanë familjet në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.

Familjet janë burimi më i rëndësishëm i dashurisë, vëmendjes, mbështetjes emocionale, sigurimit material dhe udhëzimit moral në jetën e fëmijës. Fëmijët që kanë përkujdesjen e familjeve të sigurta e të dashura, kanë më shumë gjasa që të përparojnë, sesa ata që rriten në jetimore. Fëmijët që rriten në familje përgjithësisht marrin llojin e dashurisë, vëmendjes dhe kujdesit që është thelbësor për mirëqenien e tyre. Jeta e përditshme dhe marrëdhëniet e ngushta brenda familjes shtrojnë themelin për zhvillimin social dhe emocional, imazhin vetjak dhe ndjesinë e përkatësisë së fëmijës. Teksa ndërveprojnë me pjesëtarët e familjeve të tyre dhe komunitetit më të gjerë, fëmijët përthithin modelet dhe vlerat e kulturës së tyre dhe zhvillojnë gjuhën, zakonet dhe aftësitë që do t’u duhen kur të rriten.

E thënë thjesht: fëmijët rriten më së miri në familje.

Kufizimet e jetimoreve

Jetimoret janë parë në të shkuarën si një zgjidhje për fëmijët jetimë dhe të pambrojtur, por hulumtimet tregojnë se kujdesi rezidencial shpesh nuk arrin të plotësojë nevojat e tyre.

Qëndrimi afatgjatë në jetimore mund të ndikojë negativisht në zhvillimin fizik, intelektual dhe socio-emocional të fëmijës. Edhe jetimoret më të mira luftojnë për të ofruar mbështetjen emocionale dhe sociale që u nevojitet fëmijëve, duke rezultuar në vështirësi në krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme.

Jetimoret dhe shtëpitë e fëmijëve i ndajnë fëmijët nga familja dhe komuniteti që janë thelbësore për zhvillimin e marrëdhënieve të shëndetshme shoqërore. Fëmijët që largohen nga kujdesi rezidencial janë shpesh të papërgatitur për jetë të pavarur.

Edhe pse qendrat më të vogla të përkujdesjes rezidenciale  mund të shërbejnë si përgjigje e përkohshme dhe masë e fundit për fëmijët pa asnjë mundësi tjetër mbështetjeje , ato nuk duhet të jenë kurrë zgjidhje afatgjata.

E thënë thjesht, fëmijët rriten më mirë në familje.

KALIMI NË PËRKUJDESJE ME BAZË FAMILJE


Në mbarë botën, ka një lëvizje në rritje për të zëvendësuar jetimoret me përkujdesjen me bazë familje. Kalimi nga përkujdesja rezidenciale drejt përkujdesjes me bazë familje dhe fundi i epokës së jetimoreve, sot është një realitet edhe në Shqipëri. Gjithë ky ndryshim kërkon përpjekje të përqendruar dhe fokus në shtimin e opsioneve të përkujdesjes me bazë familje për fëmijët. Përpjekjet e të gjithëve duhet të kalojnë nga mbështetja e fëmijëve në jetimore dhe shtëpi fëmijësh drejt mbështetjes së fëmijëve në familje. Përkrahja për kujdesin me bazë familje përfshin përpjekjet për të forcuar familjet, për të shtuar opsionet alternative të përkujdesjes në familje, si dhe për fuqizuar komunitetet.

Parandalimi ose Forcimi i familjeve

Forcimi i kapaciteteve të familjeve për të siguruar e për t’u kujdesur për fëmijët është mënyra më e mirë për të parandaluar ndarjen e fëmijëve prej familjeve të tyre, për të zvogëluar vendosjen në jetimore, si dhe për siguruar ribashkimin e suksesshëm të fëmijëve nga jetimoret drejt familjeve të tyre ose vendosjen e tyre në kujdes familjar alternativ. Të ndihmuarit e familjeve që të fitojnë mbështetjen dhe qasjen në shërbimet e nevojshme për të përmbushur nevojat materiale, arsimore dhe emocionale të fëmijëve të tyre është me rëndësi kritike. 

Duke marrë parasysh gamën e mundshme të nevojave dhe rrethanave të një familjeje, nuk ekziston një zgjidhje “për të gjitha rastet”. Përgjithësisht, forcimi i familjeve ka të bëjë me ndërtimin e qëndresës së tyre dhe adresimin e sfidave unike për ta. Forcimi i familjeve ose, siç quhet ndryshe ruajtja e familjeve, përfshin gjëra si: mbështetja jetike, mbështetja materiale, pagesat në para të thata, mbështetja ushqimore dhe bujqësore, qasja në arsim dhe kujdes shëndetësor, kopshti, programet pas-shkollore, mentorimi, shërbimet e arsimit të veçantë, këshillimi, edukimi prindëror, grupet e mbështetjes, qendrat burimore, qendrat rinore, strehët familjare të përkohshme dhe mbështetja frymore. Këto zgjidhje ndihmojnë që të sigurohemi se familjet mund të kujdesen siç duhet për fëmijët e tyre, ndërkohë që edhe pakësojmë rrezikun e keqtrajtimit, neglizhencës apo abuzimit.

Ndërhyrja ose rritja e opsioneve të kujdesit familjar

Kur fëmijët ndahen prej prindërve të tyre për shkak të vdekjes, abuzimit apo për shkaqe të tjera, përparësi i duhet dhënë të siguruarit që ata të marrin përkujdesje brenda familjeve. Duke qenë se nevojat dhe rrethanat e secilit fëmijë janë unike, kjo kërkon një “vazhdimësi përkujdesjeje” që ofron një seri opsionesh me bazë familjare, të cilat i përshtaten me kujdes interesave më të mira të secilit fëmijë. Të ndërtuarit e mbështetjes për kujdestarinë me lidhje gjaku, kujdestarinë pa lidhje gjaku dhe birësimin, u ofron këtyre fëmijëve mundësinë të gjejnë një kujdestari alternative.

1

Kujdestaria me lidhje gjaku

Kujdestaria me lidhje gjaku përfshin kujdestarinë prej hallave/tezeve, dajave/xhajave, gjyshërve, vëllezërve/motrave më të mëdha dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes së gjerë. Ky është modeli më dominues dhe më themelor i kujdestarisë alternative kudo në botë.

2

Kujdestaria pa lidhje gjaku

Kujdestaria pa lidhje gjaku është një vendosje e përkohshme e një fëmije  në një familje që është rekrutuar, trajnuar dhe miratuar për t'u kujdesur për një fëmijë që nuk ka lidhje me ta. Mund të jetë afatshkurtër ose afatgjatë, në varësi të nevojave të fëmijës dhe të familjes biologjike. Prindërit kujdestarë bëhen kujdestarë ligjorë dhe fëmija është në kujdesin e familjes së tyre, duke ruajtur gjithashtu një marrëdhënie me prindin e tyre biologjik.

3

Birësimi

Birësimi është transferimi i ligjshëm e i përhershëm i të drejtave dhe përgjegjësive prindërore për një fëmijë. Në përpjekje për të siguruar vendosjen e përhershme të fëmijës, birësimi është një opsion jetik në situata kur është absolutisht e qartë se fëmija nuk mund të jetë kurrë më nën kujdestarinë e familjes biologjike.